Ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu ka bërë sot homazhe pranë arkivolit të akademik Idriz Ajeti, ndërsa tha se kontributi i tij, në edukimin dhe ngritjen e brezave të shumtë mbetet në kujtesën e mirë të të gjithëve.
Sejdiu thekson se kontributi i akademik Ajetit në lëvizjen e madhe për liri dhe pavarësi, është po aq i madh sa kontributi në albanologji.
“Të sfiduan shumë kohë, dole faqebardhë. Sot shkoi në amshim njeriu që kaloi shekullin. Kontributi i tij, në edukimin dhe ngritjen e brezave të shumtë mbetet në kujtesën e mirë të të gjithëve. Ishte prijëtar në zhvillimin e saj, posaçërisht në shkencën e albanologjisë. Edhepse në ditë të vështira e në kohë të rënda, pata nderin të bashkëpunoja me Akademik Idriz Ajetin, pikërisht kur u vu në krye të përpjekjeve për të drejtat e shqiptarëve, dhe në kërkim të përhershëm të lirisë së vendit”, shkruan Sejdiu në Facebook.
“Në vitin e rëndë 1998 udhëhoqi Kuvendin e Republikës së Kosovës deri në zgjedhjet e reja parlamentare pas lufte, duke u sfiduar nga koha, por edhe duke sfiduar kohën. Kontributi i Akademik Ajetit në Lëvizjen e madhe për Liri dhe Pavarësi, është po aq i madh sa kontributi në albanologji. Isha i nderuar që Akademik Idriz Ajetin ta dekoroja me Çmimin Presidencial për Studiues, për rezultate të larta në fushën e studimeve të shkencave humane, veçmas për veprën e tij të madhe në studimet albanistike. Përherë do të jetojë kujtimi dhe vepra e Akademik Idriz Ajetit!”, shkruan më tej Sejdiu. /Telegrafi/