Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që të bëjë koalicion me Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë me qëllim që ta zhbllokojë kryeqytetin nga dyshja opozitare – Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës. Kështu ka thënë në Ora e Fundit në Klan Kosova, nënkryetari i Komunës së Prishtinës Dardan Sejdiu.
Ai tha se koalicioni nuk është i vonuar dhe se tashmë ka edhe asamblistë të dyshes PDK-LDK që e kanë kuptuar se kush janë penguesit e vërtetë të zhvillimit të Prishtinës.
“Ka kohë që kemi qenë në diskutime për një bashkëpunim, për një koalicion. Por jo vetëm me AAK-në, për ta zhbllokuar Prishtinën nga tandemi LDK-PDK. Prandaj ky koalicion është një hap në drejtim të duhur dhe nuk është aspak i vonuar”, ka thënë Sejdiu.
“Asamblistët duhet ta kuptojnë se Prishtina nuk duhet të jetë pengë i njerëzve që e pengojnë zhvillimin e saj. Tash ka një numër të asamblistëve edhe brenda PDK-LDK-së që e kanë kuptuar se duhet ta përkrahin qeverisjen tonë, sepse, dyshja PDK-LDK po mundohet që kudo që nuk është në qeverisje ta pengojë qeverisjen e të tjerëve”.
Sejdiu ka thënë se qeverisja e Vetëvendosjes në Prishtinë është model dhe pa asnjë aferë korruptive.
Ai ka përmendur edhe disa nga sukseset e Komunës nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit.
“Kemi shtuar 170 kilometra rrugë, kemi bërë 50 mijë metra katrorë parkingje, kemi ndërtuar tri çerdhe në vetëm dy vjet, pastaj shujtat për shkolla. Kemi rinovuar të gjitha qendrat familjare dhe infrastrukturën mjekësore. Është hera e parë që në Prishtinë është vendosur rregull në planifikim urban dhe jemi komuna e parë në Ballkan që qytetarët mund të vetshërbehen për dokumente në E-kioske. Po ashtu është ndaluar mafia që dertonte pa leje”, ka thënë Sejdiu.
Ai për ndaljen e ndërtimeve pa leje dhe vendosjen e rregullit urbanistik meritat ua ka lënë dy drejtorëve të komunës.
“Drejtori i Urbanizimit, Librun Aliu dhe drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Xhelal Sveçla, kanë ndaluar mafinë e ndërtimeve pa leje. Ata kanë stopuar një katrahurë sa i përket ndërtimeve jo të rregullta”, ka pohuar Sejdiu.