Site icon Telegrafi

Sejdiu kërkon të kthehet në skuadrat e Mitrovicës

Një nga lojtarët më të njohur në Kosovë, Florent Sejdiu, është ndarë me skuadrën e Skënderbeut dhe tash po kërkon konak në njërën skuadër nga vendlindja e tij, Mitrovicë. Lajmin për shkëputjen e kontratës me skuadrën shqiptare për “Epokën e re” e ka bërë me dije vetë futbollisti Florent Sejdiu.

“Përfundimisht e kam shkëputur marrëveshjen me skuadrën e Skënderbeut. Kam pasur kontratë njëvjeçare, por pas lëndimit vendosa të largohem dhe tash jam në kërkim të skuadrës së re. Një skuadër në Mitrovicë do të kishte qenë zgjedhje e mirë”, ka thënë ai.

“Normalisht angazhimi në Shqipëri do të mbetet primar për mua, por do të shohim se si do të rrjedhin gjërat në ditët në vazhdim”, ka deklaruar Sejdiu. Ai ishte transferuar në muajin shkurt të këtij viti, por ishte paraqitur vetëm në një ndeshje kundër Vllaznisë.

“Një ndeshje kam luajtur për Skënderbeun dhe jam lënduar. I kam kryer terapitë te doktori i klubit, por pa sukses. Më është dashur kohë e madhe për shërim dhe sinqerisht më vjen keq që nuk kam mundur ta jap kontributin për skuadrën e Skënderbeut”, ka deklaruar Sejdiu.

Futbollisti në fjalë ishte vlerësuar si një nga talentët më të mëdhenj në Kosovë, kurse ai ka bërë karrierë edhe në futbollin finlandez. /Epokaere/Telegrafi/ 

Exit mobile version