Site icon Telegrafi

Sejdiu jep dorëheqje, zëvendësohet nga Abazi

Gani Sejdiu nuk është më trajner i Trepçës ’89. Trajneri kosovar ka dhënë dorëheqje nga ekipi mitrovicas, pas rezultateve zhgënjyese në pesë xhirot e para të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

Trajneri mitrovicas e ka konfirmuar për Express dorëheqjen. “Me të përfunduar ndeshja e djeshme vendosa të tërhiqem. E pashë që shumë lojtarë nuk e kishin karakterin dhe angazhimin e duhur për t’i arritur objektivat. Ata nuk kishin mentalitetin e duhur dhe u panë shumë defekte”, deklaroi fillimisht ai.

“Arsyeja tjetër është profesionale. Unë nuk lejoj që për 5 ndeshje t’i humbim 2 ndeshje. Për këtë, vendosa të largohem. Mund të them megjithatë se marrëdhëniet me klubin ishin të shkëlqyeshme”, shtoi Sejdiu.

Ndërkohë, ‘Xehetarët’ e kanë gjetur menjëherë pasardhësin e tij. Trepçën ’89 në vazhdim të kampionatit do ta udhëheq trajneri Arsim Abazi. “E emëruam Arsim Abazin deri në fund të sezonit. Ai është trajner i ri dhe me perspektivë. Nëse ka sukses, mund të vazhdojë edhe më gjatë me ne”, deklaroi kryetari i klubit mitrovicas, Abedin Zeka.

Në opsion për ta udhëhequr nënkampionin kosovar ishte edhe Ramiz Krasniqi. Pas pesë xhirosh të zhvilluara, Trepça ’89 është e katërta në tabelë me 7 pikë të grumbulluara. /Express/Telegrafi/ 

Exit mobile version