Site icon Telegrafi

Sejdiu: Ja kur do të vijnë autobusët e rinj për Prishtinën

Nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu ka treguar se kur do të vijnë autobusët e rinj urbanë, për të cilët tash e shumë muaj po zhvillohet një debat i ashpër mes Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës, ose më saktësisht ministrit të Financave, Avdullah Hoti.

“Autobusët e parë do të vijnë në 90 ditë nga nënshkrimi i kontratës. Do të vijnë 30 sosh, kurse pas 30 ditësh do të vijnë edhe 21 autobusë, pra në kohëzgjatje për 120 ditë”, ka thënë Sejdiu në “Interaktiv” të KTV-së, duke shtuar se pas këtij projekti janë dy të tjerë që presin, si renovimi i garazheve të Transportit Urban, transmeton Koha.net.

Ndërsa procesin nga tash e deri në miratim ai e ka sqaruar, duke përshirë edhe shkuarjen e kësaj çështje te presidenti Thaçi.

“Qeveria sot e ka dërguar te presidenti sepse ai duhet që ta autorizojë qeverinë për nënshkrim ngaqë kjo llogaritet sikur marrëveshje ndërkombëtare e më pas duhet të procedohet në Kuvend, ku duhet të miratohet… Vetëvendosje do të jetë në Kuvend dhe besoj se do të votohet nga deputetët”, ka shtuar Sejdiu, teksa ka shtuar se kjo çështje duhet të përfundojë brenda javës.

Risi, sipas Sejdiut, do të jetë se me një biletë qytetarët mund të enden me të gjithë autobusët, qoftë privatë apo komunalë.

Exit mobile version