Ish- presidenti i Kosovës dhe ish- kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu i është kthyer momenteve kur Isa Mustafa u bë kryetar i partisë.
Sejdiu, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se Isa Mustafa ka bërë aleancë edhe me faktorë tjerë politik jashtë LDK-së deri sa arriti në krye të partisë.
“Ka ndodhur një proces anormal për LDK-në [me rastin e zgjedhjeve të këtij subjekti]. Në zgjedhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së kanë ndikuar edhe partitë tjera. Edhe Lista Rugova ka ndikuar në proces”.
“Nëse Ukë Rugova del dhe lexon tekst që i shkruajnë njerëzit e PDK-së. Zoti Rugova ka dalë me shkrim se “LDK te Qafa [selia e partisë], është LDK e Hashim Thaçit”. Teksti është shkruar njerëzit e PDK-së ose të afërt me PDK-në”, tha më tej Sejdiu.
Ish- kryetari i LDK-së, ka thënë kanë punuar ekipet e përbashkëta në atë kohë për të bërë përmbysjen e tillë në LDK, dhe ardhjen e Isa Mustafës në krye të partisë.
Ish- presidenti i Kosovës ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese se ai ka shkelur kushtetutën duke mbajtur dy poste, ka pasur lidhje me qëndrimet që ai ka pasur për të ardhmen e Kosovës.
“Unë kam kundërshtuar dhe në zyrën time është ndalë “gjashtë pikshi”. Kam shprehur rezervat e mia për dialogun pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha ndër të tjera Fatmir Sejdiu/Telegrafi/