Telegrafi

Sejdiu ftoi bizneset gjermane të investojnë në Kosovë

“Përvojat e deritashme janë të mira, ndërsa periudha në të cilën jemi kërkon nxitje të investimeve të huaja, por edhe mbështetje politike ndërkombëtare, për të lëvizur më shpejt në proceset integruese”, tha më tej presidenti i vendit.
Sejdiu theksoi se në vendin tonë janë të angazhuara, përveç shumë kompanive ndërkombëtare, edhe disa banka të rëndësishme. Por, ai ka kërkuar prej tyre, sikur edhe prej të gjitha bankave të tjera, që të ulin interesat, duke gjetur kështu interesin e përbashkët me qytetarët, pasi këto banka tashmë kanë krijuar një besim të madh te qytetarët e vendit.
“Është e pakapshme që një bankë në një vend fqinj të ketë normë më të ulët të interesit, ndërsa në Kosovë normë më të lartë”, tha Sejdiu, i cili bëri thirrje për shtim të investimeve gjermane në Kosovë.
Lidhur më mundësitë që ofron ven di ynë në të gjitha fushat, një ekspoze më të gjatë e kanë paraqitur në vijim ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku.
Përfaqësuesit e biznesit gjerman janë interesuar në detaje për mundësitë e investimeve në fushat e rëndësishme në Kosovë, si në fushën e energjetikës, minierave, përpunimit të mbeturinave, veprimtarive prodhuese e të tjera.
Gjatë ditës, presidenti Sejdiu vizitoi edhe pallatin e mbretit të Prusisë në Potsdam. Pas përfundimit të vizitës, ai i bëri një rekapitullim vizitës zyrtare në Gjermani.
“Ishte një vizitë me peshë të veçantë. Takimet që pata me Presidentin, me Kancelaren, me ministrin e Jashtëm, me kryetarin e Parlamentit dhe takimet e tjera më bëjnë edhe më të sigurt në mbështetjen kaq të fuqishme që Gjermania i jep Kosovës, Për ne është shumë me rëndësi se u konfirmua fuqishëm edhe një herë qëndrimi i Gjermanisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, për angazhimin e Gjermanisë që të ndikojë në vendet mike për njohjen e mëtejme të Republikës së Kosovës, për një qasje të interesit të veçantë për investime në fusha të caktuara në Kosovë”, tha Sejdiu.
Presidenti i Kosovës bëri të ditur se ka ftuar presidentin gjerman Kohler dhe kancelaren Merkel për të vizituar vendin tonë.
Në kuadër të aktiviteteve të shumta gjatë vizitës dyditore në Gjermani, Sejdiu ka vizituar edhe Fondacionin “Konrad-Adenauer”, kurse më pas, para një auditori të zgjedhur, ka mbajtur ligjëratën në temën “Kosova, dy vjet pas pavarësisë dhe perspektiva e saj euroatlantike”, njoftoi zyra për komunikim me publikun e Presidencës.
Sejdiu dhe ministrat Skender Hyseni, Ahmet Shala e Lutfi Zharku vizituan sot edhe ambasadën tonë në Berlin, ku u pritën nga ambasadori Vilson Mirdita me bashkëpunëtorët e tij.(koha)