Telegrafi

Sejdiu: Do të ecim përpara në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare

"Ne do të bëjmë veprime të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare dhe para së gjithash me vendet që kanë ndihmuar Kosovën dhe mbështesin atë në ecjen e saj. Ne kemi bërë punë të madhe, dhe do të bëjmë edhe veprime të mëvonshme në interes të ecjes së mëtejshme të Kosovës", ka thënë presidenti Sejdiu.

Sipas Sejdiut, pas 10 dhjetorit, mbeten vetëm pak ditë të proceseve të nevojshme që mund t’i ketë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB së, për konsultime dhe të merret një vendim për statusin.

Ndërkaq, ministri Ahern ka than se, ka ardhur në Prishtinë për t’u informuar për së afërmi me atë se çfarë thonë njerëzit në terren sepse, tha ai, do të ketë vendime të rëndësishme në BE, dhe gjithashtu në Irlandë, duke e pasur parasysh faktin për një prezencë të madhe ushtarake në Kosovë. "Dua të them se do të dëshironim që Ballkani Perëndimor të jetë një vend stabil, duke e ditur faktin se ka një perspektivë evropiane që ne e mirëpresim dhe duam që të sigurohemi se do të ecë përpara në një mënyrë pozitive dhe, siç tha edhe presidenti, do të ketë vendime të rëndësishme dhe ne duhet të informohemi mirë në mënyrë që t’i marrim vendimet e duhura".