Telegrafi

Sejdiu-Çeku: Pas shpalljes se pavarësisë, Kosova gati për çdo sfidë

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu teksa ka mbërritur në qytetin piktoresk Baden pak kilometra larg Vjenës është shprehur: ”Dua të them se, ne kemi ardhur këtu të shprehim edhe njëherë vizionin tonë për të ardhmen e Kosovës. Qëllimi ynë është pavarësia e Kosovës dhe ne jemi të përgatitur për të pasur një shtet modern dhe të pavarur për gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbrojtje të mirë të minoriteteve në Kosovë. Ky ka qenë qëllimi ynë gjatë gjithë punës tonë dhe kjo është garancia që ne ofrojmë”.

Ndërsa kryeministri Agim Çeku ka reaguar pas deklaratës së bërë dy ditë më parë të kryeministrit Vojislav Koshtunica për masat e veprimit që do të ndërmarrë Serbia në rast të pavarësisë së njëanshme.

“Ajo që liderët serbë po përgatisin nuk ka të bëjë aspak me atë që ne synojmë të arrijmë më këto bisedime. Por ne jemi shumë të përgjegjshëm që me shpalljen e pavarësisë si hap i domosdoshëm, ne do të përballemi me mjaft sfida. Por ky proces nuk është vetëm për Kosovën, ky është një proces ndërkombëtar, gjithë komuniteti ndërkombëtar mbështet pavarësinë si zgjidhjen e vetme të pranueshme dhe ata do ta njohin Kosovën. Çfarëdo që ndodh në Kosovë apo përreth Kosovës, do të ndodhë në një vend të njohur ndërkombëtarisht. Ne do qëndrojmë në Kosovë, nuk do të shkojmë asgjëkund dhe jemi gati të përballemi me gjithë sfidat”.

Bisedimet treditëshe në Baden të Austrisë, do të nisin në orën 15:00, duke shënuar fazën përmbyllëse të negociatave shtesë prej 120 ditësh mes Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuara nga Treshja ndërkombëtare e Grupit të Kontaktit – Ischinger, Wisner dhe Kharchenko.

Të dyja delegacionet përfaqësohen në nivelin më të lartë: i Prishtinës nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Agim Çeku dhe ai i Beogradit nga kreu i shtetit serb Boris Tadiq dhe kryeministri Vojisllav Koshtunica.

Sipas agjendës së paraparë, fillimisht do të mbahet një takim i përbashkët të ndërmjetësuesve me të dyja delegacionet, kurse pastaj do të mbahen takime të ndara me delegacionin e Beogradit dhe atë të Prishtinës.

Treshja u ka bërë thirrje palëve që të përmbahen nga deklaratat për media deri në fund të këtij raundi bisedimesh, të mërkurën më 28 nëntor. Në fund të negociatave Treshja të dyja delegacioneve do t’ua prezantojë bazën e raportit, i cili fillimisht do t’i dorëzohet Grupit të Kontaktit, e pastaj edhe Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së. /news24/qik/