Ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, në emisionin InfoBox të RTV Dukagjinit, ka folur për themelimin e subjektit që dikur udhëhoqi, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai thotë se në krye të subjektit të parë për shqiptarët e Kosovës, erdhi Ibrahim Rugova dhe kjo u bë edhe përmes një shtytje që i është dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Mund ta supozoj se mbase mund të ketë qenë edhe një shtytje e drejtpërdrejt edhe në atë drejtim. S’them se ata kanë dashtë të marrin një rol të direktivës se kush duhet të jetë, por në njëfarë mënyre ishte një preferencë në kuptimin e këshillës miqësore për personat që do të ishin më adaptë në kuptimin pozitiv për të akceptuar një vijë politike e cila do të ishte e pranueshëm edhe në planin e parë edhe me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Sejdiu.
Ai tregon edhe një moment të veçantë, kur thotë se gjatë periudhës së bombardimeve ishte propozuar kryeministër për një Qeveri gjithëpërfshirëse.
“Ideja e parë ka qenë që unë të jem kryeministër i vendit. Në 1998-ën ka qenë propozim i Lidhjes Demokratike të Kosovës, akceptimi edhe i presidentit Rugova, edhe krahut tjetër (UÇK -ja) – në atë kohë ishte edhe LB-ja, Partia Parlamentare dhe të tjera”, tha ai.
Duke folur për kohën e tashme dhe rënien e LDK-së që prej humbjes së zgjedhjeve të para, Sejdiu thotë se druan që kjo rënie do të vazhdojë edhe më tutje për subjektin më të vjetër në vend. /RTV D/Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=RDfdLgCmkrw&feature=youtu.be.