Site icon Telegrafi

Sejdini dha dorëheqje, pasardhësi i tij do të zgjidhet më 22 dhjetor!

Vetëm pak orë pas fitores ndaj Ishujve Faroe, Këshilli Drejtues i FFM-së ka mbajtur seancën e këtij organi të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, njofton Telegrafi.

Në të njëjtën kohë Muhamed Sejdini ka dhënë dorëheqje nga posti i president i FFM-së.Sejdini lajmin fillimisht ua kumtoi lojtarëve dhe stafit teknik, derisa më pas në seancën e Këshillit Drejtues të FFM-së ofroi dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit.

Lajmin për tërheqjen e tij nga pozita e kryetarit, Muhamed Sejdini e bëri publik vetë në profilin e tij në Facebook.

“Pas 7 viteve të jashtëzakonshme dhe të mbushura me arritje historike, kam vendosur të tërhiqem nga pozita e Presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Ky vendim vjen si rezultat i reflektimit tim për një moment të përshtatshëm ndryshimi, pas një periudhe që do të mbetet si më e suksesshmja në historinë e futbollit tonë.

Nën drejtimin tim, së bashku me ju, kemi shkruar kapituj të artë për futbollin e Maqedonisë: kualifikimi historik në Kampionatin Europian EURO 2020, renditja e dytë në grupin kualifikues për Kupën e Botës dhe fitorja e paharrueshme kundër Italisë në Palermo, sukseset e Ligës së Kombeve me kalimin në Ligën B dhe realizimi i projekteve të shumta infrastrukturore në bashkëpunim me UEFA-n dhe FIFA-n.

E lë këtë pozicion me krenari dhe falënderim të madh për të gjithë ata që kontribuuan në këto arritje: lojtarët, trajnerët, klubet, investitorët, administratën, Komitetin Ekzekutiv dhe çdo dashamirës të futbollit.

Unë do të vazhdoj të ushtroj rolin tim deri më 22 dhjetor, kur në një Kuvend të Jashtëzakonshëm do të zgjidhet pasardhësi im.

Me besim të plotë në të ardhmen e Federatës dhe të futbollit tonë, ju falënderoj nga zemra për mbështetjen dhe bashkëpunimin ndër vite”, ka shkruar Sejdini

Sejdini do të vazhdojë drejtimin e Federatës deri më 22 dhjetor , kur Këshilli Drejtues ka caktuar Kuvendin e jashtëzakonshëm, në të cilin do të zgjidhet presidenti i ri.

Sipas burimeve brenda federatës dhe shumicës së punonjësve të futbollit, Masar Omeragiç pritet të merr drejtimin e Federatës pasi ka mbështetjen e shumicës. /Telegrafi /

Exit mobile version