Telegrafi

Segmente të drejtësisë po e pengojnë qeverinë në luftë kundër krimit financiar

Madje, segmente të caktuara të drejtësisë, sipas tij, po bëjnë gjumë të rehatshëm mbi dosje të krimit tash e tetë vite dhe në këtë mënyrë po e vështirësojnë zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

Qeveria ka krijuar grupin e përhershëm punues për parandalimin e ekonomisë joformale, që kryesohet nga Zyra e kryeministrit dhe ndihmohet nga sekretariati, i cili përbëhet nga përfaqësues të ministrive, policisë, doganave, gjykatës supreme, administratës tatimore etj. Ky grup ka hartuar programin për parandalimin e ekonomisë joformale, si dhe planin e veprimit, që do të fillojë të zbatohet menjëherë.

Kryeministri Thaçi tha se programi do të mbikëqyret në mënyrë të vazhdueshme nga qeveria, e cila nuk do të ketë kompromis ndaj atyre që nuk e pengojnë, e tolerojnë apo edhe e fshehin krimin, korrupsionin dhe dukuritë tjera negative.

Ndërkaq, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Daviddi, tha se në bazë të vlerësimeve të projektit, ekonomia joformale në Kosovë është mjaft e lartë. Ajo arrin rreth 35 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm, apo rreth 700 milionë euro për vit.

Davidi theksoi se ekonomia joformale pengon ekonominë e ligjshme, dhe privon Kosovën në mbledhjen e taksave, të cilat do të ndihmonin në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, si ndërtimin e shkollave, spitaleve, rrugëve, si dhe ushqen korrupsionin.

“Bashkimi Evropian e ka ndihmuar Kosovën me projekte specifike që të parandalojë ekonominë joformale. Ky projekt, do të përforcojë kapacitetet kosovare për të parandaluar pastrimin e parave dhe korrupsionin, dhe do të ndihmojë dhe qeverisjen e mirë. Strategjia e qeverisë është në përputhje me normat evropiane, dhe me partneritetin evropian. Duke zbatuar këtë strategji dhe planin e veprimit Kosova do të punojë drejt realizimit të objektivave dhe qëllimeve të saj për integrim në BE”, tha Davidi.

Ndërkohë, konferenca po vazhdon punimet, dhe me prezantime e komente do të paraqiten përfaqësues të ministrive, policisë, prokurorisë, gjykatës supreme, ndërkaq do të përmbyllet me konkluzione përkatëse. /rtk/telegrafi/