Telegrafi

“Securicom”, kallëzime penale për dy persona në Maqedoni, përfituan paligjshëm rreth 11 milionë euro (Video)

Drejtoria e policisë financiare ka ngritur kallëzime penale kundër Vase Donevski, ish-drejtor i Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta, si edhe ndaj personit V.G, në cilësi të pronarit dhe menaxherit të kompanisë për sigurime “Securicom Multiservice International”.

Duke shkelur Ligjin për prokurime publike, “Securicom” ka përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 660 milionë denarë, apo rreth 11 milionë euro, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Vase Donev tashmë është arrestuar, dhe sipas drejtorit të Policisë financiare, Arafat Muaremi, gjatë 2015-tës, me vetëdije dhe me qëllime të paracaktuara, e ka shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe kompetencat për të inicuar procedurë për prokurim publik.

Ai ka dërguar njoftim për konkurs te shtatë operatorë ekonomik, duke i ikur obligimit për të njoftuar Këshillin për prokurime publike. Kështu, katër nga këto kompani janë pronë e të akuzuarit të dytë, V.G.

Lexo po ashtu Arrestohet Vase Donevski, ish-drejtori i Shërbimeve për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta

Të kallëzuarit kanë nënshkruar marrëveshje për shërbime, duke shkelur Ligjin për prokurime publike, me qëllim të eliminimit të konkurencës, duke i ikur mundësisë për ankand elektronik. Kështu, “Securicom” përfitoi rreth 11 milionë euro.

Gjatë kontrolleve të kryera nga ana e Policisë financiare, të bëra me urdhër gjykate, drejtori Muaremi tha se janë konfiskuar pajisje elektronike dhe një veturë, si edhe janë gjetur dokumente tjera që nuk janë dorëzuar më herët në polici./Telegrafi/