Në Gjykatën Penale sot duhet të fillojë gjykimi për lëndën “Talir” të Prokurorisë Speciale Publike, që ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë OBRM-PDUKM.
Në këtë rast të akuzuar janë Nikolla Gruevski, Kiril Bozhinovski dhe Mile Janakieski të cilët ngarkohen për “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit” dhe “larje parash”, si dhe Ilija Dimovski, Leko Ristoski dhe Elizabeta Çingarovska të akuzuar vetëm për veprën “larje parash”. Për veprën e njejtë, si subjekt juridik me aktakuzë është përfshirë edhe OBRM-PDUKM.
Seanca e kaluar ishte shtyrë për shkak të mungesës së të akuzuarit Ilija Dimovski, sepse si deputet dhe shef i delegacionit kuvendor në Asamblenë parlamentare të NATO-s mori pjesë në takimin e përbashkët të komiteteve në Bruksel.
Elzabeta Çingarovska nuk do të gjykohet sepse ajo u mor vesh me PSP-në, pranoi fajin dhe mori dënim me kusht prej dy viteve, i cili nuk do të ekzekutohet nëse në pesë vitet në vijim nuk bën vepër tjetër penale.
Sipas aktakuzës, ata në mënyrë të paligjshme morën së paku 4,6 milionë euro për partinë, e më pas organizuan që ato para të paguhen në xhiro-llogari të partisë përmes fletë-pagesave në emër të njerëzve të ndryshëm.
PSP solli edhe një aktakuzë për lëndën “Talir” që ka të bëjë me ndërtimin e paligjshëm në selinë e partisë./Telegrafi/