Site icon Telegrafi

Seancat e Kuvendit në pritje të Projektligjeve të papërfunduara nga 12 shtatori, Jakaj i IKD-së: Po shkelet Kushtetuta

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) deklaroi se dy seancat e ardhshme të rregullta të Kuvendit, të planifikuara për të mërkurën dhe të enjten, do të trajtojnë pika të mbetura pa përfunduar që prej 12 shtatorit.

Në RTV Dukagjini, Jakaj theksoi se IKD-ja e ka cilësuar mungesën e vazhdueshme të deputetëve të pushtetit në seanca si shkelje kushtetuese, e cila, megjithëse “pa pasoja juridike”, bie në kundërshtim me rregulloret e Kuvendit dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Shtyrjet e vazhdueshme dhe mungesat e deputetëve, sidomos të Lëvizjes Vetëvendosje, tregojnë papërgjegjshmëri të Kuvendit në përmbushjen e detyrimeve,” tha Jakaj.

Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen e mjaftueshme të deputetëve për të siguruar shumicën e nevojshme për miratimin e projektligjeve dhe për të votuar anëtarët e organeve kolektive dhe individuale, përfshirë edhe emërimin e shtatë anëtarëve për trashëgiminë kulturore, që është në pritje që nga 12 shtatori, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

Sipas IKD-së, këto mungesa përbëjnë shkelje të Kushtetutës, të ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetëve, të rregulloreve të Kuvendit, si dhe të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kërkojnë që deputetët të jenë pjesë aktive e punës së Kuvendit.

Exit mobile version