Në Gjykatën Penale në Shkup sot duhet të mbahen seanca të reja për “Monstrën”, “Trajektorja” dhe “Tarifa’.
Rasti “Monstra”, që ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smillkovës më 12 prill të vitit 2012, e udhëheq gjyqtari Ognen Stavrev dhe është në procedurë dëshmuese, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Për vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smillkovës më 12 prill të vitit 2012, ku u vranë pesë persona, me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Ezim dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.
Gjykata e Lartë në dhjetor të vitit 2017 i anuloi vendimet gjyqësore dhe i liroi paraburgimi të dënuarit Agim Ismailoviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri, duke ju caktuar masën e kujdesit. Pas anulimit të vendimeve, rastin “Monstra” e ndërmori PSP-ja dhe lënda u kthye përsëri në rigjykim.
Rasti “Trajektorja” është në procedurë dëshmuese dhe aty janë të akuzuar ish kryeministri Nikolla Gruevski, i cili gjykohet në mungesë, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, ish zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski dhe ish drejtori i ndërmarrjes publike “Rrugët Shtetërore” Ljupço Georgievski.
Sipas akuzës së PSP-së të akuzuarit në gjysmën e dytë të vitit 2012 dhe gjatë vitit 2013 kanë ndërmarrë shumë veprime me të cilat në procedurën për zgjedhje të kompanisë për ndërtim të autostradës Milladinovci-Shtip dhe Kërçovë-Ohër i kanë shfrytëzuar dhe tejkaluar autorizimet e tyre. Me këtë ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit prej së paku 155 milionë euro.
Në gjykatë sot duhet të mbahet seancë edhe për lëndën “Tarifa”, ku të akuzuar janë ish drejtori i përgjithshëm i AD “ELEM” Dejan Boshkovski dhe dy persona të tjerë.
Bëhet fjalë për akuzë për furnizim joligjor të sistemin softuerik për nevojat e kompanisë shtetërore “Elektranet e Maqedonisë” që kushton rreth katër milion euro./Telegrafi/