Site icon Telegrafi

“Seanca për kryeparlamentarin mund të zgjas me muaj”

Seanca për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, në bazë të ritmeve si po zhvillohet, mund të zgjas me muaj të tërë. Vetëm për pikën e parë të rendit të ditës nga katër sa janë gjithsej deri në përfundimin e konstituimit të institucionit ligjvënës, për diskutim janë paraqitur mbi 50 deputetë, ndërsa gjatë katër ditëve sa po zgjatë debati kanë diskutuar vetëm se dy deputet pasi i gjithë debati tjetër është përcjellë me polemika të nxitura nga replikat mes vet deputetëve të OBRM-PDUKM-së, si formë që po praktikohet nga ana e tyre për zgjatjen e debatit.

Nga OBRM-PDUKM-ja kanë thënë se debati i tyre bazohet në rregulloren mbi punën e Kuvendit, por nga LSDM-ja dhe partitë tjera shqiptare të shumicës parlamentare të cilat për kryeparlamentar kanë propozuar Talat Xhaferin e BDI-së, thonë se qëllimi i partisë së Nikolla Gruevskit është vazhdimi i bllokimit të zgjedhjes së qeverisë nga presidenti Ivanov, por se tani procedura është zhvendosur në Kuvend.

Ish kryetari i Kuvendit, Stojan Andov thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi qëndron tek mos definimi i qartë i rregullores, por edhe tek kryesuesi i seancës, i cili po tregohet i “shurdhër” para pengesave të OBRM-PDUKM-së.

Osman Kadriu, njohës i çështjeve kushtetuese, thotë se qëllimi i OBRM-PDUKM-së është që përmes pengesave procedurale të bllokojë zgjedhjen e kryetarit.

Edhe gjatë seancës sotme nga deputetët e partive politike pati edhe propozime për zgjedhje të reja.

Nga OBRM-PDUKM-ja thanë se mund të zhbllokojnë Kuvendit, por vetëm me kusht që kryetari i ri të ketë mandat vetëm sa për shpalljen e zgjedhjeve të reja. Nga LSDM-ja u përgjigjen se për zgjedhje të reja mund të bisedohet por vetëm pas konstitucionit të organeve të reja.

Exit mobile version