Site icon Telegrafi

Seanca për demarkacionin të dielën në ora 18:00

Seanca parlamentare për votimin e aneks-marrëveshjes për Demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi do të mbahen të dielën në orën 18:00

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vendosur që seanca e jashtëzakonshme për demarkacionin do të mbahet me 18 shkurt.

Ajo ka thënë se ky vendim i Veselit përmban shkelje sepse sipas saj vendimi është marrë unanimisht nga kryetari i kuvendit, pavarësisht se mbledhja sipas saj nuk kishte kuorum.

“Ndonëse kjo mbledhje nuk kishte kuorum Kadri Veseli unanimisht vendosi që seanca për demarkacionin të mbahet në ora 18:00 më datën 18 të këtij muaji”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq, thuhet se për caktimin e një seance për demarkacionin nuk ka qenë i nevojshëm kuorumi në Kryesi, pasi në rastet kur Presidenti, Kryeministri apo 40 deputetë kërkojnë seancë, kryesia mblidhet vetëm për të caktuar kohën e seancës.

Ndryshe, konsensusin për votim të kësaj marrëveshje e kanë shprehur të gjitha subjektet politike në një takim me presidentin Thaçi dhe ambasadorët e vendeve të Quintit, ku janë zotuar se deputetët e tyre do të votojnë pro kalimit të marrëveshjes që i jep fund izolimit të qytetarëve kosovarë për të udhëtuar pa viza./Telegrafi/

 

Exit mobile version