E plotësuar: Avokati mbrojtës i Salih Mustafës, Julius von Bone, ka folur hapur çështjen në lidhje me materialet e dorëzuar nga Prokuroria.
Ai i ka thënë gjykatësit të procedurës paraprake se mund të përmenden emra, kështu që është vendosur seanca të mbyllet për publikun deri në njoftim të mëtutjeshëm.
—-
Seanca ndaj Salih Mustafës, Prokurori: Presim që fazën gjyqësore ta fillojmë sa më shpejt
Ka nisur seanca statusore e Gjykatës Speciale ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa.
Prokurori i Speciales ka thënë se synojnë që të përfundoj fazën para gjyqësore nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe të fillojë fazën gjyqësore sa më shpejt që është e mundur.
Ai ka theksuar se ZPS-ja deri më tani ka arritur të nxjerrë 369 dokumente që përmbajnë 1226 faqe.
“Në përputhje me vendimin tuaj për nxjerrje të materialeve, mbrojtjes iu dorëzua edhe një njoftim i hollësishëm i provave”, tha Prokurori i ZPS-së.
Ai ka shtuar materialet tjera shfajësuese do t’i dorëzohen mbrojtjes nga fundi i kësaj jave.
“E kemi ndërmend që të vazhdojmë me nxjerrjen e materialeve sa më shpejtë që është e mundur. Do të bëjmë kërkesë për redaktimin e disa materialeve”, tha Prokurori.
Mbrojtja e Mustafës, avokati Von Bone ka konfirmuar se ka marrë materialet nga prokuroria.
Ai ka thënë se nuk kanë pasur ndonjë problem me listën e materialeve që i kanë marrë./Telegrafi/