Site icon Telegrafi

Seanca gjyqësore për rastet “Treqind”, “Fortesa 2” dhe “Toplik”

Në Gjykatën Penale në Shkup për sot janë caktuar seanca për lëndët e Prokurorisë Speciale Publike “Treqind” “Fortesa 2” dhe “Toplik”.

Në lëndën “Treqind” akuzohet ish-ndihmës ministri i Punëve të Brendshme Gjoko Popovski për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë blerjes së 300 automjeteve për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjykatësja Dobrilla Kacarska në maj të vitit të kaluar e dënoi Popovskin me nëntë vjet burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit ia hoqi aktvendimin e shkallës së parë për lëndën dhe e ktheu në rigjykim.

Sipas akuzës së PSP, Popovski nuk i ka respektuar dispozitat ligjore për furnizime publike dhe e ka dëmtuar buxhetit për 453.570 euro.

Në lëndën “Fortesa 2” i akuzuari i parë është ish-shefi i Drejtorisë së Pestë, Goran Grujovski, si dhe gjashtë të punësuar në DSK. Seanca e kaluar u shty për shkak mosdorëzimit të aktvendimit të Gjykatës Supreme të Greqisë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë të Veriut.

Të akuzuarit në lëndën “Fortesa 2” gjykohen për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe për shkatërrimin e dokumentacionit zyrtar lidhur me përgjimin e kundërligjshëm. Dokumentacioni ndërlidhet me dy sistemet e përgjimit të kundërligjshëm, të cilët sipas PSP janë shkatërruar gjatë vitit 2014.

Ndërsa në lëndën “Toplik” i dyshuari i parë është ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, për shitjen e tokës shtetërore për ndërtimin e kompleksit “Qyteti i diellit” në Sopishte edhe pesë persona të tjerë.

Sipas aktakuzës të PSP, i dyshuari i parë Janakieski, si person udhëheqës në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, në kundërshtim me Ligjin për furnizime publike ka krijuar Komision për furnizime publike të cilin e ka urdhëruar të zgjedh ofertues për blerje dhe disponim me tokën shtetërore dhe disponim me tokë shtetërore për ndërtimin e kompleksit elit “Qyteti i diellit” në Sopishte, edhe pse kompania nuk i ka plotësuar kushtet për këtë./Telegrafi/

Exit mobile version