Site icon Telegrafi

Seanca gjyqësore për rastet “Trajektorja” dhe “Tarifa”

Në Gjykatën Penale për sot janë caktuar seanca për lëndët “Trajektorja” dhe “Tarifa” të Prokurorisë Speciale Publike.

Në lëndën “Trajektorja” të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-zv.kryeministri Vlladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski dhe ish-drejtori për Rrugë Shtetërore Lupço Georgievski, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ata ngarkohen se në vitin 2012/2013 i kanë tejkaluar autorizimet e tyre në procedurën për zgjedhje të kompanisë për ndërtim të akseve të autostradave deri në Shtip dhe Ohër.

Deri tani në seancat për rastin “Trajektorja” janë dëgjuar rreth 300 biseda, nga bombat e ashtuquajtura të propozuara si dëshmi. Në të gjithë bisedat dëgjohet zëri i ish-ministrit të Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski me bashkëbisedues në të cilat dakordohet se cilat kompani nga Maqedonia të marrin pjesë në ndërtimin e rrugës.

Ndërsa, në bankën e të akuzuarve sot duhet të ulen edhe ish-drejtori i përgjithshëm i “ELEM-it” Dejan Boshkovski dhe dy persona të tjerë, të cilët janë të akuzuar në rastin “Tarifa”. Bëhet fjalë për aktakuzë për furnizim kundërligjor të sistemit softuerik për nevojat e kompanisë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë” në vlerë rreth katër milionë euro./Telegrafi/

Exit mobile version