Site icon Telegrafi

Seanca gjyqësore për rastet “Titanik” dhe “Titanik 3” të PSP-së

Në Gjykatën Penale në Shkup për sot janë caktuar seanca të reja për lëndët e Prokurorisë Speciale “Titanik” dhe “Titanik 3”.

Rasti “Titanik” që ka të bëjë me parregullsi zgjedhore ndodhet në fazën e dëshmive dhe prezantohen dëshmi materiale nga PSP-ja. Bëhet fjalë për rreth 5900 materiale, për keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatave politike në vitin 2013, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Përveç Nikolla Gruevskit i cili ndodhet në Hungari, të akuzuar janë edhe Kirill Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Biljana Bryskoska-Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristoski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet Davitkov, Dalibor Aleskoviç dhe Lenka Rasjakovska.

Ata dyshohen për shoqërim kriminal, dëmtim të së drejtës së votës, ryshfet gjatë votimeve, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve financiare.

Ndërsa në rastin “Titanik 3” të akuzuar janë Ejup Alimi dhe Ismet Guri të BDI-së, të cilët ngarkohen me akuzën se si anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor në Çair në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë shkatërruar materialin zgjedhor.

Procedura gjyqësore nisi nga fillimi më 15 mars, pasi u emërua gjykatëse e re në këtë lëndë./Telegrafi/

Exit mobile version