Ka përfunduar seanca e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës, e cila do të vazhdojë nesër duke filluar nga ora 14:00, ku në rendin e ditës janë për shqyrtim gjithsej tetë pika.
Deputetët do të shqyrtojnë raportin vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për 2020, raportin vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT për 2020.
Në rend dite do të jetë edhe propozim-vendimi i Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “KOSMONTE FOODS”.
Ndërkaq, deputetët do të bëjnë edhe emërimin e kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës.
Në seancën e nesërme do të bëhet edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, prej tyre dy nga radhët e komunitetit shqiptar dhe një nga radhët e komuniteteve jo shumicë, përzgjedhja e kandidatëve për anëtarë jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, si dhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.