Telegrafi

Seanca e Kuvendit nis me një minutë heshtje për viktimat e tërmetit në Marok dhe të përmbytjeve në Libi

Seanca e Kuvendit të Kosovës të enjten ka nisur me një minutë heshtje nga deputetët për viktimat e tërmetit në Marok dhe të përmbytjeve në Libi.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se i kanë parë me shumë trishtim këto dy katastrofa, prej të cilave kanë humbur jetën më mijëra qytetarë.

“I pamë me shumë trishtim përmbytjet në Libi dhe tërmetin në Marok, prej të cilave katastrofa humbën jetën me mijëra qytetarë të këtyre dy vendeve. Prandaj, në konsultim me grupet parlamentare, kemi vendosur që të mbajmë një minutë heshtje për humbjen e jetës së të gjithë këtyre personave”, u shpreh Konjufca.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës këtë të enjte do të mbajë dy seanca.

Seanca plenare ka nisur në orën 10:00 dhe në rend ditë ka edhe votimin e Poropozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa nga ora 14:00 është paraparë të mbahet seanca e jashtëzakonshme, ku do të ketë “debat parlamentar lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024”. /Telegrafi/