Kuvendi i Kosovës, nesër do të mbajë seancë të jashtëzakonshme lidhur me siç thuhet “angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e shkëmbimit të territoreve, apo korrigjim të kufijve në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
Iniciues e kësaj seance është Lidhja Demokratike e Kosovës, e mbështetur edhe nga grupet e tjera politike parlamentare në opozitë.
Përveç partive opozitare (LDK, VV e PSD) në seancë pritet të marrin pjesë edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, ani pse disa nga zyrtarët e kësaj partie e kanë quajtur absurde thirrjen e kësaj seance.
Pjesëmarrjen e PDK-së në seancë e ka konfirmuar për Telegrafin, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.
“E kemi konfirmuar disa herë tashmë. Do të marrim pjesë, pa dyshim”, ka thënë Krasniqi.
Pjesëmarrjen në këtë seancë ditë më parë e ka konfirmuar edhe Nisma Socialdemokrate.
Shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti, Bilall Sherifi deklaroi se Nisma do të marrë pjesë edhe në seancën e ftuar nga opozita.
Ndërkaq AAK-ja nuk ka konfirmuar ende se a do të marrin pjesë në seancë apo jo, pavarësisht deklarimeve të kryeministrit Ramush Haradinaj i cili ka deklaruar se ndarja e Kosovës dhe ndryshimi i kufijve është i pamundur dhe se nuk do të ndodhë.
Për mbajtjet e seancës së jashtëzakonshme kërkohen prania e 60 deputetëve, kurse për miratimin e një rezolute duhen të paktën 61 vota.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq do të zhvillojnë raundin e ri të bisedimeve më 7 shtator.
Dy presidentët, kohët e fundit kanë folur për mundësinë e korrigjimit të kufirit mes dy shteteve, gjë që, sipas presidentit Thaçi, mund të jetë pjesë e marrëveshjes eventuale të paqes mes Prishtinës dhe Beogradit. /Telegrafi/