Telegrafi

Seanca dëgjimore ndaj xhudistit Akil Gjakova do të jetë e mbyllur për publikun

Prokuroria në Pejë ka kërkuar një muaj paraburgim për xhudistin kosovar, Akil Gjakova i dyshuar për veprën penale të dhunës në familje.

Zëdhënësja e Gjykatës së Pejës bënë të ditur se seanca dëgjimore ndaj Gjakovës do të jetë e mbyllur. Seanca pritet të mbahet sot (e enjte) (18.04.2024) nga ora 15:00.

“Pjesëmarrja e mediave dhe publikut nuk do të lejohet për shkak se bëhet fjalë për dhunë në familje”, ka thënë Tringa Zhuti për KALLXO.com.

Akil Gjakova ditë më parë, më 16.04.2024 ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës duke kërkuar edhe ndihmën e Qytetarëve për të dhënë ndonjë informacion lidhur me vendndodhjen e të njëjtit.

Lexo po ashtu Akil Gjakova ndalohet në Morinë, dërgohet në mbajtje prej 48 orësh

Ai dyshohet se gjatë vitit 2023 në bazë të deklaratës së bashkëshortes së tij me të cilën është në proces divorci, ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj ndërsa e njëjta kishte raportuar edhe dhunë psikologjike.

Më 17.04.2024, xhudisti është arrestuar vetëm disa orë pasi Policia e Kosovës publikoi të dhënat e tij si person në kërkim për veprën penale dhunë në familje.