Ndonëse seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës është paralajmëruar të filloj në ora 10:00, edhe pas 30 minutave prej kur është dashur të fillojë Kuvendi në sallë kanë mbërritur vetëm disa deputetë, nga 120 sosh sa i ka legjislativi i vendit.
Përgjegjësia e të zgjedhurve të popullit është kontestuar shumë herë, duke theksuar se nuk po i marrin seancat seriozisht, pavarësisht pagave dhe mëditjeve të majme të cilat i marrin.
Ka ndodhur që në disa raste ata të vënë nënshkrimin, vetëm e vetëm për ta marrë mëditjen dhe menjëherë kanë dalë nga seanca.
Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës tha për Telegrafin se legjislatura e pestë ka filluar më probleme, po vazhdon dhe sipas tij, do të përfundoj me probleme.
Murati ka theksuar se kjo legjislaturë ka qenë më joefikasja edhe në mbajtjen e seancave plenare, pastaj në mbajtjen e mbledhjeve të komisioneve dhe miratimin e ligjeve.
“Mungesa e kuorumit ka ndikuar që të mosrealizohen në shumë raste edhe seancat dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare. Pastaj bojkotimi i opozitës për një kohë ka ndikuar në mbarëvajtjen e seancave. Edhe deputetët e partive në pushtet kanë munguar shpesh, duke e paralizuar punën e Kuvendit. Kur janë mbajtur takimet kanë ndodhur shumë anomali: qoftë përdorimi i gjuhës nëpër seanca, e cila nuk përkon me jetën parlamentare; qoftë sjelljet e deputetëve, kur një deputet e ka kanosur një deputet tjetër. Në përgjithësi kemi të bëjmë më një legjislaturë jo efikase”, ka shtuar ai.
Seanca e sotme është vazhdim i seancës së javës së kaluar, në të cilën ndër të tjera pritet që pikë e rendit të ditës të jetë edhe votimi i një rezolute, përmes së cilës kërkohet lirimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. /Telegrafi/