Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria për rastin “Stentat”, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani kishte kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa që ta lironte nga detyra, gjë të cilën sot e bëri kryeministri.
“Duke pas parasysh ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria e Shtetit ndaj meje. I bindur në pafajësinë time të plotë përkitazi me çështjen që është subjekt i aktakuzës. Në pajtim me parimin e qeverisjes së pastër pa asnjë dyshim në bartësit e funksioneve publike dhe i përkushtuar që drejtësia të kryej punën e saj në mënyrë të papenguar, kërkoj nga Ju që të më lironi nga detyra e Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor deri në momentin e shpalljes së pafajësisë sime të plotë”, kishte shkruar Agani, në letrën dërguar kryeministrit Isa Mustafa.
Kryeministri Mustafa e ka me ç’rast e ka përfillur kërkesën e ministrit agani dhe e ka liruar atë nga detyra e Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësnor.
Tani për tani ende nuk dihet se kush do të ushtrojë detyrën e ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përderisa Ferid Agani do të jetë i “suspenduar” deri në vendimin e gjykatës.
Zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu ka thënë për Telegrafin se Qeveria nuk do t’i vonojnë hapat e mëtutjeshëm në këtë drejtim.
“Ministria e Planifikimit Hapësinor është politikisht e mbuluar në këtë aspekt sepse ka zëvendësministra. Hapat e mëtutjeshëm në këtë drejtim nuk do t’i vonojmë dhe ato do të ndërmerren në bashkëpunim me partnerët e koalicionit”, ka thënë Abdullahu.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ditë më parë ngriti aktakuzë kundër 64 të pandehurve, në mes tyre edhe ndaj Ferid Aganit, ish-ministër i Shëndetësisë dhe Gani Shabanit sekretar i kësaj Ministrie./Telegrafi/