Telegrafi

Së shpejti pacemakerët pa bateri

Elektrostimuluesët të cilët ndihmojnë në arritjen e një ritmi më të rregullt të zemrës, janë kyç për shpëtimin e jetëve të shumë pacientëve të zemrës, mirëpo bateritë janë faktor kufizues sepse zëvendësimi i tyre kërkon ndërhyrje kirurgjikale.

Adrian Zurbuchen nga Universiteti i Bernit dëshiron që kështu ta krijojë një pajisje e cila është e bazuar në një orë automatike mekanike xhepi të cilën në vitin 1777 e kishte shpikur orëndreqësi zviceran Abraham-Louis Perrelet.

Ashtu siç ora automatike mekanike kurdiset falë lëvizjeve me dorë, kështu edhe pacemakeri do të duhej të prodhojë energji elektrike duke e përdorur lëvizjen e muskujve të zemrës, dhe që kjo të jetë e mundur, ai qepet direkt në zemër.

Tani për tani, provat janë kryer në derra, njoftoi Zurbuchen ne takimin vjetor të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë në Barcelonë. Zemrat e kafshëve janë konfiguruar me sukses në 130 rrahje të rregullta në minutë.

"Ky ishte një studim fizibiliteti. Ne kemi treguar se është e mundur të rregullohet ritmi i zemrës duke e përdorur fuqinë e rrahjeve të vetë zemrës," tha Zurbuchen.

Hulumtimet janë në një fazë të hershme dhe tani për tani nuk dihet se kur do të fillojnë testimet në njerëz. /Telegrafi/