Në anën tjetër, punimet në zhveshtore kanë përfunduar dhe ato cilësohen me notën 10-she nga drejtuesit e klubit të Trepçës. Këta të fundit kanë ankesa në ulëse. Në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport (MKRS) thonë se vetëm po zbatohet projekti i nisur vitin e kaluar. “Investimet janë bërë edhe më herët. Ka pasur disa vonesa, por që tani po zbatohet projekti, i cili është në përfundim e sipër”, thotë Shkëlzen Dragaj nga MKRS, raporton Tribuna.
Stadiumi i Mitrovicës është përpara atij të Prishtinës në plotësimin e kushteve teknike për të luajtur ndeshje ndërkombëtare. Stadiumi “Adem Jashari” është duke marr çdo ditë e më shumë pamjen e një stadiumi me parametra evropian.
Pas punimeve të shumta që janë duke u zhvilluar nëpër lokalet e brendshme të stadiumit, ka filluar edhe vendosja e karrigeve. Në këtë stadium pritet të vendosen 18 mijë ulëse, të ardhura nga projekti i selektorit Albert Bunjaki, i cili solli të gjitha pajisjet nga stadiumi legjendar suedez, Rasunda.
Veç karrigeve pritet të vendoset edhe ndriçimi në kuadër të projektit të njëjtë, semafori dhe zërimi që do ta bënte stadiumin mitrovicas të gatshëm edhe për sfida ndërkombëtare, raporton Sporti1.
Është interesante se si këto ulëse po mund të montohen në këtë stadium, deri sa për këtë janë ankuar drejtuesit e Prishtinës se nuk po mund të montohen në stadiumin kryeqytetit të Kosovës. /Telegrafi/