Site icon Telegrafi

Ndërpritet seanca në mungesë të PAN-it

E plotësuar: Kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci ndërpreu seancën konstituive në mungesë të deputetët të koalicionit PAN.

Ai tha se të pranishëm ishin 61 deputetë dhe ka kuorum, por në mungesë të PAN-it nuk mund të vazhdojnë seancën.

Hoti: PAN të tregojë datën e seancës dhe të lëviz para, në të kundërtën duhet të shihen mundësi tjera për krijimin e institucioneve

E plotësuar: Avdullah Hoti nga LDK-AKR-Alternativa kërkoi nga PAN-i të tregojnë datën për seancë dhe të lëvizin përpara për themelimin e institucioneve.

Sipas tij, duhet të caktohet një datë për takim konsultativ dhe të caktohet data për mbajtjen e seancës.

“Ta kemi edhe një përpjekje të fundit për formimin e institucioneve”, tha ai, duke shtuar se në të kundërtën duhet të shihen mundësi tjera për ecjen përpara me krijimin e institucioneve.

Konjufca: Strategjia e PAN-it është t’i bindin deputetët veç e veç

E plotësuar: Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Glauk Konjufca, ka theksuar se koalicioni PAN po e pengon qëllimisht themelimin e institucioneve të vendit.

Ai në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se strategjia e këtij koalicioni është që të marrë sa më shumë kohë.

“Ata këtë po e bënë që t’iu qasen veç e veç deputetëve, që ata ua kanë mërsyer për tua ndërruar mendjen, për ta votuar kryetarin dhe Qeverinë Haradinaj.  Kjo është e papranueshme për standardet e demokracisë, sepse po mbahen peng institucionet. Ne dënojmë këtë praktikë, sepse kjo praktikë nuk duhet lënë  në një shtet që duhet thënë demokratik”, ka theksuar Konjufca.

Sipas tij, kompromisi që po ua kërkojnë koalicionit PAN, është që të mos e propozojnë një figurë, që prej shumicës prej së deputetëve është i papranueshëm.

“Nëse i pyesni deputetët e VV-së dhe LAA-së, thonë se Veseli nuk është i pranueshëm”, ka shtuar Konjufca.

Sërish fillon seanca konstituive (Live)

E plotësuar: Ka filluar sërish të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, por siç njoftoi kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci dhe të pranishëm në seancë janë vetëm 59 deputetë.

Kuvendi shkon në pauzë, s’ka kuorum (Live)

E plotësuar: Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës kërkoi dhjetë minuta pauzë në mungesë të kuorumit në Kuvend. Të pranishëm në Kuvend ishin vetëm 53 deputetë

Fillon seanca konstituive, PAN nuk merr pjesë (Live)

E plotësuar: Ka filluar të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës.

Së shpejti fillon seanca konstituive, PAN nuk merr pjesë (Live)

E plotësuar: Deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe disa deputetë të koalicionit LAA, tashmë kanë arritur në sallën ku pritet të mbahet seanca konstituive.

Së shpejti pritet të fillojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur nga kryesuesi Adem Mikullovci.

Në seancë nuk do të jenë të pranishëm deputetët e PAN-it. PAN nuk merr pjesë me arsyetimin se nuk janë konsultuar për mbajtjen e kësaj seance.

Një ditë më parë PAN kërkoi mbajtjen  edhe të një takimi konsultativ javën e ardhshme për të caktuar pastaj mbajtjen edhe të seancës konstituive. Por për një kërkesë të tilla nuk ka pasur gatishmëri nga pala tjetër.

Telegrafi në bashkëpunim me RTV Dukagjinin do t’ju mbajnë të informuar. /Telegrafi/

Exit mobile version