Site icon Telegrafi

Së shpejti aplikimi për statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

Gratë e vajzat e reja të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, ende nuk gëzojnë të drejtën për pension.

Pavarësisht se në vitin e kaluar ishte miratuar rregullorja për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale, procesi për dhënien e pensioneve për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, po zvarritet ende.

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale bëjnë të ditur se kanë përfunduar të gjitha procedurat për themelimin e Komisionit Qeveritar që pritet të bëjë verifikimin dhe njohjen e statusit të viktimave.

Musa Demiri nga radhët e kësaj Ministrie, thotë se po presin vetëm funksionalizimin e këtij komisioni që të fillojnë procedurat tjera.

“Pasi që janë kryer pothuajse të gjitha procedurat rreth themelimit dhe kompletimit të Komisionit Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, pritet që të bëhet funksionalizimi i këtij komisioni, anëtarët e të cilit komision janë të obliguar që të kryejnë një trajnim bazik dhe me të përfunduar të këtij procesi”, është shprehur Demiri për Indeksonline.

Derisa ka bërë të ditur se Ministria e Punës me kohë do të njoftojë opinionin për procedurat e aplikimit dhe kohën se kur pritet të fillojë ky aplikim.

“MPMS-ja do të njoftojë opinionin për procedurat e aplikimit dhe kohën se kur do të fillon aplikimi”, ka deklaruar zëdhënësi për informim në këtë ministri, Musa Demiri.

Ndërkohë, ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga me 7 mars të vitit 2014 kishte formuar këshillin kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Në Kosovë figurojnë mbi 20 viktima të dhunuara gjatë luftës së fundit.

Exit mobile version