Në Irak së paku 11 veta janë vrarë dhe mbi 20 të tjerë janë plagosur në një sulm me armë dhe me bombë që ka ndodhur të hënën në mbrëmje në juglindje të Bagdadit.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha se dy sulmuesit kanë qëlluar disa civilë në qarkun Nahravan, përpara se njëri prej tyre të hidhte veten në erë. Sulmuesi i dytë është vrarë nga forcat e sigurisë.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi militant Shteti Islamik.
Ky grup ka pushtuar territore të mëdha në Irak dhe Siri në verën e vitit 2014, por që atëherë ka pësuar një varg humbjesh në të dyja vendet.
Javën e kaluar, Shteti Islamik ka humbur kontrollin e qytetit të fundit që ka pasur në Irak.