Ditëve të fundit, në mediat e Kosovës bëri jehonë deklarata e Kardinalit Kasper, i cili mbase pa pyetur askënd në zyrat vendim-marrëse të Selisë së shejnjtë, tha se Vatikani nuk e njeh Kosovën sepse ka marrëdhënie të mira me Kishën Ortodokse Serbe.
Ngaherë, në Kosovë mbështetja nga Vatikani ka qenë e mirëseardhur, ndërsa pas shpalljes se pavarësisë kjo është pritur edhe më me dashuri dhe mirëseardhje, sepse si qendra e krishterimit botëror, Vatikani indirekt komandon një mori votash të vendeve katolike që kanë njohuri të pakta për politikën e jashtme globale, posaçërisht kur janë larg atij vendi gjeografikisht.
Vatikani, nga shpërbërja e Jugosllavisë, pa e pyetur fare Kishën Ortodokse Serbe, nuk ishte ngurrues të njihte Slloveninë dhe Kroacinë, vende këto me shumicë dërmuese katolike, por njohu edhe Bosnje Hercegovinën, Maqedoninë, dhe Malin e Zi, vende këto ku katolikët janë pakica.
Vatikani, po ashtu ka njohur të gjitha vendet e dala nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, edhe pse Kisha Ortodokse Ruse është shumë më e fortë dhe shumë më e madhe sesa simotra e saj serbe. Vatikani njeh si shtete, vende me shumicë absolute muslimane edhe pse disa prej tyre persekutojnë katolikët e tyre pakicë si psh Irani, dhe Siria.
Selia e shenjtë po ashtu njeh edhe vende ortodokse, hinuiste, dhe budiste që nuk përfillin fort pakicat e tyre katolike. I tillë është rasti me Kinën ku më shumë se 30 milionë katolikë kinez, persekutohen nga regjimi i këtij vendi, ndërsa ata që lejohen të besojnë, e bëjnë një gjë të tillë me priftërinj të dresuar në shkollat e partisë komuniste.
Pra, çështja nuk është se Kosova ka shumicë muslimane dhe prandaj Vatikani nuk e njeh, madje kjo është edhe një arsye më shumë që të njihet Kosova ashtu që rreth 7.2% katolikët e Kosovës “te mbroheshin” nga kisha universale katolike. (Një argument i tillë përdoret kurdo që katolikët janë pakicë). Arsyeja kryesore dhe e vetme është fakti se Papa Benedikti i XVI dhe kardinali Bertone, që mban detyrën e Sekretarit të shtetit të Vatikanit (kryeministër sipas kushtetutave moderne) janë që të dy me mendje të vendosur kundër Kosovës dhe shqiptarëve.
Papa Benedikti i XVI, ish Kardinali Racinger, ka pësuar dhimbje të mëdha emocionale në rininë e tij të hershme nga humbja e të afërmve të tij nazist që kishin ardhur ta pushtonin Kosovën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Merret vesh se xhaxhai i Racingerit ra diku pranë Urës së Ibrit në vitin 1942, ndërsa një nga dajat e tij të rinj që e mbanin afër atëherë Papën e tanishëm, u gjymtua keqas dhe bëri një jetë prej paraziti derisa vdiq diku në të ’50-tat e vona në duart e nënës së Papës së tanishëm, me vrer në buzë, dhe mallkim në zemër ndaj shqiptarëve.
Kjo është edhe arsyeja pse Benedikti ka refuzuar ta vizitojë akoma Shqipërinë fqinje përkundër ftesave të kohëpaskohshme që zyrtarët e shtetit shqiptar i kanë bërë atij qysh se është emëruar prelat i kishës. Kjo është po ashtu edhe arsyeja pse ai me këmbëngulje kundërshton emërimin e një kardinali shqiptar, megjithëse sipas “Curia Romana” (Ligji shtetëror i Vatikanit) në Kosovë Kisha katolike ka organizim të mjaftueshëm sa për të pasur një kardinal, ndërsa në Shqipëri punën kishtare duhet ta kryenin së paku dy kardinal.
Arsyet e Kardinalit Bertone janë po ashtu të lidhura me Luftën e Dytë Botërore. Një nga të afërmit e tij, në cilësinë e priftit, gjatë okupimit fashist të Shqipërisë, kishte ardhur në tokën e shqiponjave si misionar katolik. Për shkak të refuzimit të krishterëve të Shkupit, Pukës, Gjakovës, dhe Pejës që të emigronin në Itali ku do të jetonin sipas mendimit të tij të lirë për të mbajtur fenë, ai kishte kërkuar madje tërheqjen e tyre me dhunë nga vatrat e tyre, por Italia fashiste atëherë po kapitullonte, dhe dëshira e tij nuk u realizua kurrë.
Mesa duket në kujtesën e Kardinalit Bertone, akoma nuk janë shlyer bindjet e gabuara që kushëriri i tij, që tashmë i përket historisë dhe vetëm asaj, kishte fituar për ne shqiptarët.
Shih për këtë, zyrtarët tanë duhet që t’ua shpjegojnë këtyre njerëve tëe moshuar se kohëerat kanë ndryshuar, dhe se njohja e Kosovës nga Vatikani duhet të bëhet medoemos.
Kisha katolike në Kosovë, Shqipëri dhe në Mal të Zi duhet të punojë shumë me shumë në këtë drejtim, e jo të bëj sehir “duke pritur vegimin nga qielli”, pikërisht ashtu siç po bën edhe Bashkësia Islame e Kosovës, ajo e Shqipërisë dhe ajo në Maqedoni, me heshtjen çoroditëse përballë botës islame rreth çështjes se njohjes se pavarësisë së Kosovës.