Telegrafi

S’e heqin Jaffa Keksin

Edhe pse është vërtetuar së është kancerogjen, keksi “Jaffa” vazhdon të shitet nëpër marketet kosovare. Përveç në qendrat e mëdha, ky prodhim mbetet në shitje edhe nëpër dyqanet e vogla. Ekspertët e lëmit të ushqimit thonë se me rastin e largimit të këtij produkti nga tregjet e regjionit, kjo është dashur të ndodhë menjëherë edhe në Kosovë.

Inspektorati Sanitar i Kosovës, gjatë vikendit kishte lëshuar urdhëresën që ky produkt të largohet nga tregu, derisa t’iu kthehen rezultatet e analizës që e kishin dërguar të bëhet jashtë vendit. Mirëpo, ky produkt në masë të madhe gjendet në tregun kosovar.

Ekspertët e vlerësojnë gabim të madh dërgimin për analizë jashtë vendit, pasi që sipas tyre, nuk është dashur të bëhej analizë tjetër, vetëm të merren rezultatet e shteteve të tjera për këtë produkt.

Reshat Ajvazaj, ekspert i ushqimit, tregon për Express se ky produkt mund të jetë shumë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, pasi që e ka mbështjellësin me materie kancerogjene. Ai thotë se javën e kaluar kishte qenë në Kroaci, dhe atje shteti menjëherë e kishte ndërprerë qarkullimin e këtij produkti në treg.

“Kur u ktheva në Kosovë, pashë se këtu nuk kishte ndërmarrë askush asgjë, përveç transferimit për importin e këtij produkti prej një distributori në tjetrin”, thotë Ajvazaj. Përderisa shtetet e regjionit kanë konstatuar se ky produkt është kancerogjen, ai thotë se malli është dashur të largohej menjëherë edhe nga tregu i Kosovës ose të bllokohej për një kohë. ”
Analizat shtesë për këtë nuk është dashur të bëhen, pasi shteti ynë ka pasur mundësi që t’i marrë rezultatet e shteteve të tjera që i kanë bërë”, ka thënë Ajvazaj.

Ai tregon se e ka parë këtë prodhim nëpër dyqanet dhe thotë se të gjitha prodhimet serbe janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut. /Telegrafi/