Telegrafi

Më se gjysma e të sëmurëve me coronavirus në Korenë e Jugut, besohet se janë infektuar në një kishë udhëheqësi i së cilës pretendon se është i pavdekshëm

Në Korenë e Jugut, janë raportuar 556 të sëmurë me coronavirus, derisa numri i të vdekurve ka arritur në pesë.

Zyrtarët shëndetësorë, ka bërë të ditur se më se gjysma e të sëmurëve, apo 309 prej tyre, janë infektuar derisa po përcillnin shërbesat e një kishe në Deagu, që ka një lider shumë kontrovers, transmeton Telegrafi.

Lee Man-Hee është lideri i një kishe, që pretendon se është i pavdekshëm, ndërsa përkundër thirrjeve që të mos ketë tubime, ai iu ka kërkuar besimtarëve që të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku.

Për pasojë, është dashur të kontrollohen mbi 9,300 besimtarë që e vizituan kishën ditëve të fundit, ndërsa 1,200 prej tyre kanë pasur temperaturë të lehtë dhe shenja të ftohjes.

Shtabi i Koresë së Jugut, i ngritur vetëm për parandalimin dhe trajtimin e coronavirusit, ka bërë të ditur sot për 113 raste të reja të sëmundjes. /Telegrafi/