Telegrafi

Së bashku me vajzën dhe burrin shkuan drejt Sirisë, prokuroria ngrit aktakuzë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër A.A. për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Prokuroria Speciale njofton se e pandehura A.A. më 23.11.2015, me vetëdije të plotë, së bashku me bashkëshortin e saj, H.S dhe vajzën e tij, D.S. e kanë lëshuar vendbanimin e tyre të përhershëm në Republikën e Kosovës, përmes Aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” kanë udhëtuar për në Stamboll – Turqi.

Më pas të njëjtit kanë hyrë në shtetin islamik në Siri, me qëllim që ti bashkëngjiten organizatës terroriste “ISIS”, e nga e cila organizatë është financuar rregullisht me një shumë të hollash prej 50 euro në muaj”, thuhet në njoftimin për media.

Me këto veprime e pandehura A.A. ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/