Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropian, Njomza Emini, ka thënë se, pavarësisht vështirësive që janë përcjell gjatë këtij viti, mosmarrëveshjet e shpeshta pozitë-opozitë rreth shumë çështjeve me interes nacional, Kosova ka qenë e përkushtuar në agjendën evropiane.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Emini ka thënë se në këtë proces kontribut kanë dhënë pozita dhe opozita. “Në Komisionin të cilin e drejtoj vërtet ekziston një vullnet i mirë dhe mirëkuptim i përgjithshëm pozitë-opozitë, që gjërat t’i shtyjmë përpara bashkërisht”, është shprehur deputetja Emini. Ajo ka theksuar se duhet punë dhe angazhim më i madh i të gjitha institucioneve sa i përket kryerjes së obligimeve për agjendën evropiane.
Sa i përket liberalizimit të vizave, ajo ka bërë me dije se mbeten dy kritere të paplotësuara: demarkacioni me Malin e Zi dhe luftimi i korrupsionit.
Emini ka thënë se këto dy kritere në dukje të parë janë kushte për të ecur përpara në procesin e liberalizimit të vizave mirëpo, sipas saj, luftimi i korrupsionit dhe fuqizimi i sundimit të ligjit do të jenë sfida edhe përtej këtij procesi. “Mendoj se luftimi i korrupsionit, fuqizimi i sundimit të ligjit dhe i qeverisjes së mirë, investimi më tepër në ekonominë e tregut të lirë, fuqizimi i sektorit privat, me çfarë do të rritet fuqia e konkurueshmerisë së tregut të Kosovës, do të jenë sfida me të cilat do të vazhdojmë të ballafaqohemi edhe në të ardhmen”, është shprehur deputetja e LDK-së, Njomza Emini.
Ajo ka shprehur optimizëm se ka vullnet për t’i përmbushur dy kriteret e fundit për liberalizimin e vizave që janë vendosur nga Bashkimi Evropian. “Qytetarët e Kosovës janë lodhur nga të qenurit populli i vetëm i izoluar tashmë e një kohë të gjatë dhe pa një perspektivë ekonomike”, ka theksuar Emini. Duke folur rreth ndërtimit të murit ilegal në veri, Emini ka thënë se institucionet tona duhet të tregohen të vendosura për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel në interesin më të mirë të qytetarëve tanë. “Kjo nënkupton pa mur ndarës në lumin Ibër”, është shprehur deputetja Emini.