Telegrafi

Së bashku kundër kancerit gjirit

Falë një bashkëpunim të Spitalit Amerikan, Prishtinë, qendrës kosovare për luftimin e kancerit të gjirit Jeta/Vita dhe aksionit për ‘Nëna dhe Fëmijë’ të cilët në kuadër të muajit të luftës kundër kancerit, nga sot fillojnë projektin e hulumtimit të shpeshtësisë së patologjisë së kancerit të gjirit dhe kancerit të qafës së mitrës si dhe diagnostifikimit të hershëm të kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës.

Megjithatë, për të realizuar këto kontrolle janë përcaktuar disa kritere të përfshirjes së grave. Gruaja nuk duhet të jetë e diagnostifikuar më herët me kancer, mos të ketë biopsi të mëhershme të gjirit dhe të mos ketë realizuar mamograf më parë.

Pjesë e programeve për vetëdijesimin dhe ofrimin e mundësive të kontrolleve për gratë që duan të mësojnë për shëndetin e tyre, është edhe projekti për kancerin e qafës së mitrës ku aksioni për ‘Nëna dhe Fëmijë’ përmes donatorëve amerikan mundëson pajisje që shërbejnë për diagnostifikimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës.

Mrika Aliu nga aksioni për ‘Nëna dhe Fëmijë’ thotë se ky projekt do të zgjasë 12 muaj në tërë vendet e Kosovës e nga i cili do të përfitojnë rreth 600 gra me kontrolle.

Ndërsa, drejtori i Spitalit Amerikan, Dr. Driton Ukmata thotë se gjatë punës rutinore me pacientë kanë vërejtur një shpeshtësi pak më të lartë të kancerit që qasës së mitrës dhe se iniciativa që ka ardhur prej aksioni për ‘Nëna dhe Fëmijë’, për të filluar një projekt të tillë ka qenë e mirëseardhur në Spitalin Amerikan, pasi që siç thotë ai, duhet parë se hipotezat të cilat i kanë ngritur, a kanë ndonjë bazë.
Edhe për projektin me qendrën ‘Jeta/Vita me qëllim të vetëdijesimit dhe përkrahjes së grave, ai tha se është mjaftë i rëndësishëm, andaj kanë vendosur që t’i bëjnë bashkë të dyja në kuadër të muajit të luftës kundër kancerit të gjirit.

Ky projekt studimor do të jetë nën kujdesin e kirurgut në Spitalin Amerikan, Prof. Dr. Ugur Gozalan. Ai shpreson që bashkë me stafin të arrijnë të bëjnë më të mirën në këtë çështje.

Qëllimi i këtij projekti është edhe ngritja e vetëdijes tek gratë për kontrolle të rregullta me qëllim të zbulimit sa më të hershëm të problemeve eventuale.

Gratë që do të realizojnë kontrolle, nga shërbimet falas do të përfitojnë: Eko gjiri (Ekzaminim fizik), Mamograf (Ekzaminim fizik) dhe Pap Test (Vizitë gjinekologjike). /Telegrafi/