Gjykata Supreme ka mbajtur sot Seancën e Përgjithshme, ku është vendosur se nuk do të ketë aktakuza për shkelësit e masave anti-pandemi gjatë Qeverisë Kurti.
Në këtë seancë është sqaruar se vepra penale e “Mosveprimit sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, nuk mund të konsiderohet e konsumuar nga i dyshuari kur kemi te bëjmë me shkeljen e vendimit në fjalë.
“Kjo vepër penale mund të konsiderohet e konsumuar vetëm kur kemi të bëjmë me vendime individuale që organet kompetente të autorizuara me ligj, kanë lëshuar ndaj cilitdo person apo grupi personash për ndonjë masë konkrete që ai/ata të mos veprojnë”, sqarohet mes tjerash në Mendimin Juridik të Gjykatës Supreme.
Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë:
Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, sot është mbajtur Seanca e Përgjithshme e Gjykatës Supreme, në të cilën, me shumicë votash, është miratuar Mendimi Juridik lidhur me veprën penale – Mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë nga neni 250 i KPRK-së duke pas parasysh vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 01/15 të datës 23 mars 2020.
Ky mendim juridik është nxjerrë pas kërkesës së Gjykatës Themelore në Gjilan, gjykatë kjo, që ka pranuar disa aktakuza nga prokuroria që kanë të bëjnë me shkelje të vendimit të qeverisë, me të cilin ishte ndaluar qarkullimi i lirë i qytetarëve.
Ndaj, përmes këtij Mendimi Juridik, është sqaruar se vepra penale e “Mosveprimit sipas dispozitave shëndetësore gjate epidemisë” nga neni 250 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nuk mund të konsiderohet e konsumuar nga i dyshuari kur kemi te bëjmë me shkeljen e vendimit në fjalë.
“Kjo vepër penale mund të konsiderohet e konsumuar vetëm kur kemi të bëjmë me vendime individuale që organet kompetente të autorizuara me ligj, kanë lëshuar ndaj cilitdo person apo grupi personash për ndonjë masë konkrete që ai/ata të mos veprojnë”, sqarohet mes tjerash në Mendimin Juridik të Gjykatës Supreme. Gjatë seancës është diskutuar edhe për menaxhimin me pandeminë, me ç’rast, kryetari Peci ka kërkuar që të mos keqpërdoret situata me pandeminë për të munguar në punë, por të shfrytëzohen pushimet vjetore nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës.