Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ende e mundur, vlerëson ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, dhe thekson se për të zbatuar është e rëndësishme edhe mbështetja e SHBA-ve, Gjermanisë dhe Rusisë.
“Mendoj se marrëveshja e Serbisë me Kosovën është ende e mundur dhe shpresoj se liderët në rajon do të shkojnë më tej, sepse ne kemi mundësi për të ndërtuar një rajon të bazuar në paqe, stabilitetit dhe prosperitetit”, u ka thënë Scott gazetarëve, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me Rusinë kur bëhet fjalë për zgjidhjen në fjalë, ambasadori ka thënë se ka mosmarrëveshje ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë për një numër çështjesh, por që të dy vendet janë të gatshme të bashkëpunojnë kur interesat e tyre përputhen.
Ndërsa i pyetur nëse SHBA do të mbështesë marrëveshjen mbi ndryshimet kufitare, Scott theksoi se është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë një marrëveshje, dhe se SHBA do të vlerësojë nëse një marrëveshje e tillë do të ndërtojë stabilitet në rajon.
“Është një proces i hapur, mendoj se kjo është një kohë e mirë dhe ky problem duhet zgjidhur një herë dhe pse jo tani”, përfundoi Scott. /Telegrafi/