Michael Schumacher do të jetojë në Mallorca, në një vilë luksoze të cilën bashkëshortja e ish-kampionit të Formula 1, Corinna, e ka blerë në Andratx, rreth 20 minuta larg Palma de Mallorca, për 30 milionë euro.
Konfirmimi ka ardhur nga kryebashkiaku i qytetit, i cili ka thënë: “Mund ta konfirmoj zyrtarisht që Michael Schumacher do të akomodohet në qytetin tonë, gjithçka është gati për ta pritur”.
Sipas revistës zvicerane L’Illustre, shërbimet policore në ishull janë njoftuar për mbërritjen e një vizitori shumë të rëndësishëm
Policia i ka marrë të gjitha masat për të ruajtur privatësinë e familjes. Në fakt, vetë familjarët e Schumacher nuk kanë preferuar ta komentojnë lajmin, transmeton SuperSport.
Mallorca ka qenë gjithmonë destinacioni i preferuar i çiftit për të kaluar pushimet verore.
Ishte një jetë perfekte e cenuar pikërisht nga ai aksident i tmerrshëm i 29 dhjetorit të vitit 2013, në Meribel të Francës.
Që nga ajo ditë, shëndeti i ish-kampionit të Formula 1 ka mbetur mister. Nuk është shfaqur qoftë një fotografi apo një dalje publike, çka ka shtuar bindjen se situata është shumë e rëndë, madje thuhet se Schumacher është në gjendje vegjetative.
Gjatë këtyre viteve, Schumi është kuruar në rezidencën Gland në Zvicër.
Ende nuk ka një informacion të saktë nëse akomodimi në Mallorca do të jetë i përkohshëm apo i përhershëm.