Më 16 tetor të këtij viti, në Tiranë do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit.
Lajmin e konfirmoi kancelari gjerman, Olaf Scholz gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Berlin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Përgatitjet për këtë tani kanë përparuar. Më 16 tetor, samiti do të zhvillohet. Samiti i Procesit të Berlinit, për herë të parë në historinë thuajse 10-vjeçare të procesit, do të zhvillohet në një kryeqytet të Ballkanit Perëndimor.
Procesi i Berlinit, ka treguar që prej vitit 2014, se çfarë potenciali ndodhet në bashkëpunimin gjithëpërfshirës të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.
“Integrimi i shpejtë i të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor për qeverinë gjermane ka rëndësi strategjike”, u shpreh ndër të tjetër Scholz.
“Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe familjes europiane. Prandaj gëzohem që Rama ra dakord për të zhvilluar më 16 tetor Samitin e Procesit të Berlinit, për herë të parë prej 10 vitesh në një shtet të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria priu me shembull të mirë dhe në janar ishte vendi i parë që i ratifikoi marrëveshjet e firmosura në nëntor”, shtoi Scholz.
Kancelari tha se integrimi i shpejtë i të gjashtë shteteve të rajonit në union ka rëndësi strategjike për qeverinë e tij. “Ne dëshirojmë t’i mirëpresim sa më shpejt të jetë e mundur si anëtarë. Thelbi i negociatave mbetet forcimi i sundimit të ligjit. Prandaj është mirë që anëtarë të bandave kriminale dhe zyrtarë të lartë janë paditur dhe dënuar”.
Scholz falënderoi vendin tonë edhe për rolin e saj në rreshtimin krah Perëndimit në reagimin pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë. “Agresioni rus tregon se demokracitë nuk mund të merren si të mirëqena. E falënderoj Shqipërinë për rolin e saj konstruktiv si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit në OKB dhe NATO”, shtoi Scholz.
“Marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Gjermanisë janë të shkëlqyera. Jemi të gëzuar që në këto kohë të vështira e llogarisim Shqipërinë si aleat”. /Telegrafi/