Site icon Telegrafi

Scholz paralajmëron Netanyahun: Koha për marrëveshje

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka shprehur shqetësimin e një lufte rajonale në Lindjen e Mesme gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar një zëdhënës i qeverisë në Berlin.

Bëhet e ditur se biseda erdhi një ditë pasi një sulm ajror izraelit në një shkollë në Gazë vrau dhjetëra civilë, me Ministrinë e Jashtme gjermane që më vonë e quajti sulmin “të papranueshëm” dhe bëri thirrje për armëpushim.

Sipas zëdhënësit Wolfgang Buchner, Scholz i tha Netanyahut se qeveria gjermane dënon fuqishëm kërcënimet nga Irani, militantët e Hezbollahut në Liban dhe të tjerë kundër sigurisë së Izraelit dhe qytetarëve të tij, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Kancelari gjithashtu thuhet se theksoi nevojën për të “thyer spiralen shkatërruese të dhunës hakmarrëse, për të ulur tensionet dhe për të punuar në mënyrë konstruktive për de-përshkallëzim”.

Scholz përsëriti se ka ardhur koha për të finalizuar një marrëveshje për një armëpushim në Gazë dhe për të liruar pengjet e mbajtura nga militantët në territorin palestinez.

Ai tha se “shumë qëllime ushtarake” në luftën kundër Hamasit janë arritur, por vuajtjet njerëzore në Rripin e Gazës vazhdojnë dhe janë “të mëdha”.

Ndryshe, thirrje për armëpushim ka bërë edhe Ministria e Jashtme gjermane.

“Raportet nga Gaza janë të tmerrshme. Vrasja e civilëve është e papranueshme. Sulmet e përsëritura ndaj shkollave nga ushtria izraelite duhet të ndalen dhe të hetohen shpejt”, tha ministria në një deklaratë.

“I gjithë rajoni ka nevojë urgjente për armëpushimin humanitar të propozuar nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari. Kjo mundësi për të lehtësuar vuajtjet duhet të shfrytëzohet tani si çështje urgjente”, shton ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version