Paul Scholes ka thënë se Paul Pogba duhet të luajë më mirë për Manchester Unitedin dhe duhet ta përdorë më mirë trurin për t’u shndërruar në më të mirët e futbollit.
Francezi bëri një rikthim sensacional në Old Trafford në vitin 2016 nga Juventusi, duke u bërë asokohe lojtari më i shtrenjtë.
Mesfushori është kritikuar në fillim për paraqitjet e tij në Ligën Premier, meqenëse e kishte të vështirë të përshtatej në futbollin anglez.
Megjithatë, ai u bë figurë e rëndësishme në skuadrën e Jose Mourinhos në sezonin e kaluar, edhe pse një kohë mungoi për shkak të lëndimit.
Nga ana tjetër, pos lojës me Unitedin, Pogba e fitoi Kupën e Botës me Francën duke e mposhtur Kroacinë në finale.
Përkundër suksesit me kombëtaren, Scholes thotë se mesfushori nuk ka qëndrueshmëri në nivel klubi.
“Mendoj se Paul duhet ta gjejë qëndrueshmërinë. Nëse shikoni lojën e tij, ai mund të jetë brilant në një javë dhe jo aq i mirë në javën tjetër”.
“Duket si një lojtar që tregon më të mirë çdo tri apo katër ndeshje. Për t’i fituar kampionatet, kjo nuk mjafton”, ka deklaruar Scholes për beIN SPORTS. /Telegrafi/