Telegrafi

Scholes ‘përbuz’ Lampardin dhe zgjedh yllin e Manchester Cityt si lojtar më të mirë se ai

Paul Scholes ka shokuar opinionin sportiv duke pretenduar se Phil Foden është një ‘futbollist shumë më i mirë’ se sa ish-kolegu i tij Frank Lampard.

Foden shkëlqeu së fundmi në fitoren e Manchester Cityt me rezultat 3-1 ndaj rivalit lokal Manchester United, duke shënuar dy gola.

Ylli i Cityt tani ka shkuar në shifrën e 18 golave të shënuar këtë sezon, ku 11 prej tyre kanë ardhur në Ligën Premier.

Tani, ish-mesfushori i United, Scholes, ka thënë fjalë të mëdha për të, duke nënvizuar se Foden është më i talentuar se sa Frank Lampard, por tani po shënon gola të rëndësishëm, njësoj siç kishte bërë legjenda e Chelseat javë për javë.

“Shikoni, Phil Foden është një futbollist shumë më i mirë se sa ishte Frank Lampard, mos më keqkuptoni, por Frank e fitoi ligën për ekipin e tij për shkak të kontributit që ka dhënë në mesfushë, në ndeshjet e mëdha veçanërisht, dhe me Phil Foden mendoj se po e shohim të njëjtën gjë”, ka thënë Scholes.

Foden ka fituar pesë tituj të Ligës Premier për Manchester Cityn që prej se bëri debutimin e tij në 2017. Ai ka bërë më shumë se 250 paraqitje me klubin e tij të fëmijërisë dhe ka qenë akter kryesor i shumë ndeshjeve të “Qytetarëve”.

Jo shumë kohë më parë fjalë të mëdha për Foden kishte thënë edhe Pep Guardiola, i cili e kishte vlerësuar reprezentuesin anglez si lojtarin më të mirë në Ligën Premier për momentin./Telegrafi/