Site icon Telegrafi

Scholes e kritikoi në media për një lëvizje që bëri gjatë ndeshjes, por Antony thotë se do të vazhdojë të bëjë gjëra të tilla

Manchester United mundi pa probleme të mëdha Sheriff Tiraspolin me rezultat 3-0 në ndeshjen e xhiros së pestë të fazës së grupeve të Ligës së Evropës, ndërsa futbollisti i paguar 100 milionë euro nga Djajtë e Kuq – Antony, tërhoqi vëmendjen dhe zemëroi shumë Paul Scholesin me një lëvizje që e bëri në pjesën e parë.

Në minutën e 37-të të ndeshjes, ai e ka pranuar topin në krahun e djathtë dhe pas kësaj ka filluar të rrotullohet me të në formë rrethi.

Në rrjetet sociale shumë e kritikuan lëvizjen e tij dhe pak minuta më vonë, më saktësisht pas pjesës së parë, trajneri i Manchester United, Erik ten Hag e la në stol.

Ish-futbollisti i Man Utd, Paul Scholes nuk e justifikoi lëvizjen e tij, duke thënë se ishte qesharake.

“Qesharak! Nuk e dija se çfarë po bënte. Për çfarë po mendonte? Ai nuk mashtroi askënd me atë lëvizje dhe as nuk argëtoi askënd”, ka thënë Scholes.

Por Antony doli në rrjetet sociale të premten me një postim, duke këmbëngulur se ai e bën këtë gjë për art dhe nuk do të ndalet.

“Ne jemi të njohur për artin tonë. Dhe nuk do të ndalem së bërë atë që më pruri këtu ku jam!”, ka shkruar ai.

Djajtë e Kuq e fituan ndeshjen me golat e Diogo Dalot, Marcus Rashford dhe Cristiano Ronaldo. /Telegrafi/

Exit mobile version