Site icon Telegrafi

Scholes e kishte paralajmëruar disa ditë më parë debaklin e Unitedit nga Liverpooli, fjalët e legjendës angleze tani bëhen virale

Manchester United ka pësuar debakël në derbi nga Liverpooli, duke u mposhtur me rezultat të thellë 0-5.

Djajtë e Kuq u poshtëruan nga rivali i urryer, por nuk do të ndodhte një gjë e tillë nëse trajneri Ole Gunnar Solskjaer do ta dëgjonte ish-bashkëlojtarin e tij Paul Scholes.

Legjenda angleze kishte folur për televizionin BT Sport menjëherë pas ndeshjes që United e zhvilloi ndaj Atalantës në Ligën e Kampionëve dhe që e fituan 3-2.

Trajneri norvegjez kishte vendosur formacionin e njëjtë edhe ndaj Liverpoolit njësoj si ndaj Atalantës, derisa Scholes e kishte kritikuar për atë.

“Në atë pjesë të parë ndaj Atalantës, United ishin gjithandej në fushë. Ata ishin të shpërndarë, dy mesfushorët luajtën vetë”, tha fillimisht Scholes.

Legjenda angleze dhe e Djajve e Kuq kishte paralajmëruar se United mund të pësonte debakël nëse do të luante në të njëjtën mënyrë ndaj skuadrave të mëdha.

“Tani, nëse ju e bëni të njëjtën gjë kundër skuadrave si Manchester City dhe Liverpooli, me përfundimin e pjesës së parë ju do të jeni në një disavantazh prej tre ose katër golave, do të jeni jashtë lojës dhe nuk do të mund të ktheheni”, kishte thënë për BT Sport legjenda angleze Paul Scholes.

Pas debaklit që pësoi United në derbi ndaj The Reds, deklarata e Paul Scholes është bërë virale në rrjet, pasi paralajmërimi i tij ishte mëse i saktë.

Tifozët e ndryshëm të Djajve të Kuq po shkruajnë se trajneri Solskjaer është dashur të dëgjojë deklaratën e Scholes dhe mos ta bëj të njëjtin gabim. /Telegrafi/

Exit mobile version