Fotografi i AFP-së, Ronaldo Schemidt fitoi çmimin për foton e vitit në ”World Press Photo 2018” për një imazh spektakolar të marrë gjatë përleshjeve në Karakas që për jurinë simbolizon një vend që digjet.
Fotografia që mori këtë vlerësim, më i larti i çmimeve prestigjioze të ”World Press Photo”, u bë vitin e kaluar gjatë përplasjeve mes forcave të sigurisë dhe kundërshtarëve të presidentit venezuelian, Nicolas Maduro. Anëtarët e jurisë theksuan se kishin zgjedhur këtë foto, sepse ajo shkakton një emocion të menjëhershëm.
Me vendndodhje në Meksikë, Ronaldo Schemidt ishte dërguar në Venezuelë, vendi i tij i origjinës, për të mbuluar trazirat në pranverë 2017. Më 3 maj, ai ka parë protestuesit të sulmojnë një motor të Gardës Kombëtare, serbatori i të cilit shpërtheu papritur në fytyrën e Jose Victor Salazar Balzas, 28 vjeç.
“Kam ndjerë zjarrin prapa kurrizin tim dhe kam reaguar instiktivisht. Kam bërë foto pa e ditur se çfarë fotografoja. Vetëm pas disa sekondave kam kuptuar se ishte dikush që po digjej”, tregon Ronaldo Schemidt.
Foto e bërë tregon manifestuesin, i cili mban një maskë kundragaz, duke vrapuar dhe me trupin e mbuluar nga flakët.
Manifestuesi pësoi djegie të rënda, por mbijetoi.
“Për momentin, nuk kam menduar se do të fitoja çmim me këtë foto”, shton fotografi. “Isha vërtet i tronditur dhe nuk e kisha menduar kurrë se do të asistoja në diçka kaq të dhunshme”.
“Fotoja e vitit duhet të tregojë një ngjarje”, deklaroi presidentja e jurisë, drejtoreshë e fotografisë në të përjavshmen “Geo France”, Magdalena Herrera. “Ajo është një fotografi klasike, por ka një energji të momentit”, shtoi Herrera.
Sipas saj, në imazhin e Ronaldo Schemidt ka ngjyra, lëvizje dhe është e kompozuar shumë mirë. Ajo ka forcë. /ATSH/