Telegrafi

Scheffer: Nuk ka asnjë arsye për zvogëlim të trupave në Kosovë

“Aktualisht në Kosovë gjenden 16.000 ushtarë dhe nuk ekziston asnjë argument për zvogëlimin e këtij numri”, ka deklaruar Scheffer.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, këtë javë ka tërhequr vëmendjen se, SHBA-ja do të mund të tërhiqte trupat nga Kosova, në pjesën e dytë të vitit 2008, nëse nuk merr mbështetjen e anëtareve evropiane të Aleancës për operacionet në Afganistan.

Scheffer ka përsëritur qëndrimin e tij se, NATO-ja është e gatshme të ballafaqohet me të gjitha sfidat në Kosovë, dhe se është duke u përgatitur “për të gjitha mundësitë”.

Ai ka shtuar që shpreson se, do të arrihet marrëveshje për statusin e ardhshëm të Kosovës, dhe i ka dhënë mbështetje procesit që zhvillohet me ndërmjetësim të treshes së Grupit të Kontaktit.

Ministrat do të diskutojnë për Kosovën edhe gjatë takimit të nesërm të Këshillit NATO-Rusi.

“Pres diskutime të sinqerta dhe të ashpra rreth temave për të cilat nuk pajtohen aleatët, NATO-ja dhe Rusia, si mbrojtja raketore, marrëveshja mbi trupat konvencionale apo Kosovën”, ka paralajmëruar ndërkaq ndihmësi i sekretarit të përgjithshëm, John Colston.